Pas takimeve të suksesshme të ditës së djeshme me disa shoqata, delegacioni i përbashkët nga Anamorava ka vijuar agjendën e takimeve në Bursa të Turqisë.
Albert Selishta, së bashku me dy drejtorët e zhvillimit ekonomik të Gjilanit dhe Kamenicës, si dhe një zyrtar komunal, kanë zhvilluar sot takimin e dytë radhazi, këtë herë me shoqatën e biznesmenëve shqiptarë, ARNİAD.
Në këtë takim, delegacioni u prit nga kryetari i shoqatës, Bayram Taşocak, dhe anëtarët e saj, ku në fokus ishte prezantimi i mundësive konkrete për investime në rajonin e Gjilanit dhe Kamenicës.
Albert Selishta ka bërë të ditur se qëllimi i këtyre vizitave të njëpasnjëshme është krijimi i urave të qëndrueshme ekonomike:
“U pritëm ngrohtësisht ku prezantuam mundësitë që ofrojnë vendet tona për investitorët. I ftuam që të na vizitojnë dhe t’i shohin nga afër mundësitë që ofrohen për investitorët potencialë në qytetet Gjilan dhe Kamenicë. Komunat tona shprehën gatishmërinë për t’i mbështetur me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit ekonomik”, ka thënë Selishta.
Kjo vizitë vjen si vazhdimësi e përpjekjeve për të thithur investime nga diaspora afariste në Turqi, duke ofruar gatishmëri institucionale për mbështetjen e bizneseve që duan të shtrijnë aktivitetin e tyre në Kosovë.

