GASTRONOMI/Arsim Kqiku përfaqëson Kosovën në Festivalin e Gatimeve në Turqi

Kulinaristi nga fshati Hodonoc i komunës së Kamenicës, Arsim Kqiku, do të jetë sërish përfaqësues i Kosovës në Festivalin e Gatimeve që do të mbahet në Edirne të Turqisë, nga data 18 deri më 20 shtator.

Në këtë ngjarje ndërkombëtare të gastronomisë, ai do të prezantojë vlerat kulinare të vendit krah pjesëmarrësve nga nëntë shtete të tjera të Ballkanit.

​Përmes një njoftimi, Kqiku ka shprehur kënaqësinë dhe përgjegjësinë për këtë pjesëmarrje të radhës, duke e vlerësuar si një mundësi të rëndësishme për promovimin e traditës kosovare.

​”Jam tejet i lumtur që edhe këtë vit, nga 18 deri më 20 shtator, do ta kem nderin ta përfaqësoj Kosovën në Festivalin e Gatimeve në Edirne, Turqi, përkrah përfaqësuesve të 9 shteteve të tjera ballkanike. Për mua është një nder dhe përgjegjësi e madhe të prezantoj kulturën, traditën dhe shijet e kuzhinës sonë para publikut ndërkombëtar,” ka deklaruar Kqiku.

Festivali i Edirnesë mbledh çdo vit mjeshtra të kuzhinës nga rajoni për të ekspozuar recetat tradicionale dhe për të shkëmbyer përvojat gastronomike ballkanike.

Shpërndaj me të tjerët