Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Fadil Ademaj, i shoqëruar nga dy miqtë e tij nga Velekinca, Selami Neziri dhe Dushi Bunjaku, i janë bashkuar iniciativës humanitare për t’u dalë në ndihmë familjeve me nevojë para fillimit të vitit të ri shkollor.
Me iniciativë vetjake, tresha ka dhuruar 470 fletore si dhe materiale të tjera përcjellëse shkollore. Aksioni i tyre është shtrirë në disa fshatra të Gjilanit, ku mjetet janë shpërndarë falas për nxënësit që kanë më së shumti nevojë.
Për këtë gjest solidaritet ka njoftuar Dardan Veseli, përfaqësues nga organizata “Islamic Relief Kosova” në Gjilan, i cili ka vlerësuar lart kontributin e komunitetit.
”Aktiviteteve humanitare u shtohet edhe më shumë vlera kur në to përfshihet drejtpërdrejt edhe komuniteti. Fadili, së bashku me shokët e tij Dushin dhe Selamiun, me iniciativë të tyre kanë sjellë në shoqatën tonë 470 fletore dhe materiale të tjera përcjellëse. Ky është një shembull i bukur se si iniciativa individuale mund të shndërrohet në një ndihmë të madhe për fëmijët,” ka bërë të ditur Veseli.
Nga organizata “Islamic Relief Kosova” kanë falënderuar donatorët për mbështetjen e vazhdueshme, duke bërë të ditur se grumbullimi i kontributeve do të vazhdojë deri më 1 shtator, me synimin që sa më shumë fëmijë ta nisin vitin e ri shkollor të përgatitur.
