KOMBËTARE/ Feniksi shqiptar”, Kushtrimi i paepur i Metush Krasniqit në ekranin e historisë

Në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të lindjes së ideologut dhe veprimtarit të shquar kombëtar, Metush Krasniqi, në qytetin e Dardanës u organizuan një varg veprimtarish kulturore e historike.

Pjesë qendrore e këtij përvjetori jubilar ishte shfaqja e dokumentarit me titull “Feniksi shqiptar”, me autor gazetarin dhe publicistin e njohur Ismet Rashiti.

​Ky film dokumentar përbën një arritje të rëndësishme në fushën e historiografisë dhe ekranizimit të së kaluarës sonë kombëtare, sepse është vepra e parë e këtij lloji që i përkushtohet tërësisht figurës së Metush Krasniqit.

Dokumentari pasqyron me përpikëri rrugëtimin e jetës së Krasniqit, duke filluar nga veprimtaria e tij e hershme atdhetare, formimi i grupeve ilegale, e deri te roli i tij si udhërrëfyes ideologjik për brezat e rinj.

Përmes pamjeve dhe dëshmive, vepra ndriçon përballjen e tij të pabarabartë me aparatin shtypës të kohës.

Pavarësisht burgosjeve të shumta, ndjekjeve pa ndërprerje dhe torturave të egra psiko-fizike nga UDB-ja serbe, ai nuk e ndali për asnjë moment veprimtarinë e tij kombëtare.

Autori Ismet Rashiti ka realizuar një punë të mirëfilltë kërkimore-shkencore.

Në dokumentar ndërthuren dëshmitë e gjatë jetës nga bashkëveprimtarët, dokumentet e nxjerra nga arkivat e kohës, si dhe kujtimet e familjarëve, duke ndërtuar një portret të plotë e të bazuar në fakte.

Përzgjedhja e titullit “Feniksi shqiptar” lidhet drejtpërdrejt me figurën e mitologjike të shpendit që ringjallet nga hiri.

Kjo simbolizon faktin se përpjekjet dhe idealet e Metush Krasniqit për liri nuk u mbytën dot nga represioni, por u ringjallën dhe u bënë mekalë për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare.

Dokumentari “Feniksi shqiptar” i pëlqen çdo brezi, sepse nuk shërben vetëm si një biografi e ekranizuar, por si një dëshmi e gjallë e një epoke të tërë sakrificash.

Përmes kësaj vepre, historia u përcillet me vërtetësi brezave të rinj, duke e kthyer sakrificën e njerëzve të mëdhenj në një udhërrëfyes për ruajtjen e identitetit dhe kujtesës kolektive.

Për figurën e Metush Krasniqit kontribuan me kujtimet e tyre emra të shquar të çështjes kombëtare si Adem Demaçi, Hydajet Hyseni, Zenel Kelmendi, Fehmi Baftiu, Emin Krasniqi, Ramiz Arifi, Sabri e Selatin Novosella, si dhe bashkëveprimtarë të tjerë.

Ndēr bashkēveprimtarēt mē tē afērt tē Metush Krasniqit ishte  edhe atdhetari dhe poeti, Zeqir Gērvalla, i cili nē kētē dokumentarē pērmes vargjeve poetike e skalitē mē sē miri portretin e Metush Krasniqit!

 

Shpërndaj me të tjerët