Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e 15 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Gjilanit.
Në këtë 27-vjetor të lirisë, kreu i komunës u është drejtuar gjilanasve me një mesazh plot nderim për të kaluarën dhe me thirrje për angazhim drejt së ardhmes.
Përmes një deklarate zyrtare, Hyseni ka vënë në dukje se kjo datë shënon njërën nga kthesat më të mëdha historike për qytetin dhe rajonin e Anamoravës.
“Gjilan, urime 15 Qershori – Dita e Çlirimit! Sot, në 27-vjetorin e çlirimit, me nderim dhe mirënjohje kujtojmë një nga ditët më të rëndësishme të historisë së qytetit tonë. Kjo është dita kur përulemi me respekt para dëshmorëve, martirëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë që e gëzojmë sot”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.
Më tej, ai ka theksuar se liria e fituar me shumë mund duhet të shërbejë si një udhërrëfyes dhe përgjegjësi e përditshme për të gjithë që të punojnë pa reshtur për progresin e qytetit.
“Me këtë rast, uroj nga zemra të gjithë qytetarët për Ditën e Çlirimit të qytetit tonë. Qoftë kjo ditë gjithmonë kujtesë për sakrificën, krenarinë dhe obligimin tonë që ta duam, ta zhvillojmë dhe ta forcojmë Gjilanin çdo ditë edhe më shumë. Lavdi të përhershme dëshmorëve të kombit”, përfundon urimi i të parit të Gjilanit.

