GJILAN, 3 tetor 2026 – Një moment sa solemn po aq edhe i ngrohtë e prekës u shënua dje në restorantin “Melaverde” në Dragancë, ku u kremtua 65-vjetori i ditëlindjes së Ahmet Isufit, Komandantit të Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së.
Takimi u shndërrua në një çast të veçantë kujtese, respekti e krenarie për vitet e stuhishme të luftës çlirimtare, për dëshmorët e kombit dhe për udhën e përbashkët në shërbim të atdheut.
Në këtë përvjetor jubilar, ish-zëdhënësi i Zonës Operative të Karadakut, Ismet Sylejmani, i dorëzoi komandantit një dhuratë me peshë të veçantë emotive e historike: fotografitë e mitingut të madh popullor të 24 qershorit 1999 në Gjilan.
Aty është fiksuar çasti historik kur Ahmet Isufi iu drejtua popullit për të deklaruar çlirimin e qytetit dhe të gjithë zonës nga zgjedha e Serbisë pushtuese.
Kjo dhuratë u shoqërua edhe me informatën e atyre ditëve dhënë TVSH-së, si një dëshmi mirënjohjeje nga vetë Sylejmani dhe nga vëllai i tij, Xhevdet Sylejmani, luftëtar i UÇK-së dhe pjesëtar i mbrojtjes së afërt të Komandantit.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Ismet Sylejmani evokoi lidhjen e çmuar të farkëtuar në ditët më të vështira por më të lavdishme të historisë kombëtare, duke shprehur përuljen e thellë para veprës së dëshmorëve që mbeten themeli i lirisë e i shtetësisë sonë.
Ndër të tjera, ai i uroi komandantit Ahmet Isufi shëndet, jetë të gjatë e 100 vite të lumtura pranë familjes, miqve dhe të gjithë bashkëluftëtarëve. / dita24h /
