ARSIM/​SBASHK-u dhe MASH-i nisin nga Gjilani bashkëbisedimin me mësimdhënësit për Strategjinë e Arsimit 2035+

GJILAN, 3 tetor 2026 – Dje në Gjilan është zhvilluar takimi i parë rajonal në kuadër të procesit të bashkëbisedimit me mësimdhënësit për hartimin e Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+, i organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

​Në këtë takim morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri Përparim Kryeziu, përfaqësues të MASH-it, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, si dhe anëtarë të kryesisë dhe mësimdhënës nga Gjilani, Vitia, Kamenica e komuna të tjera të rajonit.

​Takimi shënoi fillimin e një serie takimesh rajonale me synim që përvoja dhe zëri i punëtorëve të arsimit të jenë pjesë e drejtpërdrejtë e hartimit të kësaj strategjie.

Fokus kryesor i diskutimeve ishin: mësimdhënësi i së ardhmes, zhvillimi profesional, inteligjenca artificiale e teknologjia, cilësia dhe financimi i arsimit, kushtet e punës si dhe sfidat demografike.

​Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, përgëzoi udhëheqjen e MASH-it për gatishmërinë që këtë proces ta zhvillojnë përmes dialogut të drejtpërdrejtë me arsimtarët.

Nga ana e tij, ministri Hajrulla Çeku theksoi rëndësinë e Strategjisë 2035+ dhe nevojën për ndryshime të thella në sistemin arsimor.

​Veçantia e takimit në Gjilan ishte se fjalën kryesore e patën vetë mësimdhënësit, të cilët parashtruan pyetje, shqetësime dhe propozime konkrete.

Ky format i bashkëbisedimit vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut social e profesional për të ardhmen e arsimit në Kosovë. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët