GJILAN, 3 tetor 2026 – Shkrimtari i njohur gjilanas Hysen Këqiku ka pasuruar fondin e tij letrar me botimin e librit të tij të 49-të me radhë, të titulluar “Fanitje në Buhnajë”.
Kjo përmbledhje me poezi për të rritur numëron 108 faqe të formatit A/5 dhe vjen si një tjetër arritje e rëndësishme në krijimtarinë e tij të gjatë e të begatshme.
Redaktor i këtij vëllimi poetik është shkrimtari, kritiku letrar dhe opinionisti Shefik Shkodra, i cili përveç punës me përkushtim në redaktim, e ka pasuruar librin edhe me një shkrim vlerësues letrar të botuar në përmbyllje të tij.
Kopertina e librit mban pikturën e shkëputur nga koleksioni i piktorit dhe pedagogut të njohur Ramadan Arifi, ndërsa dizajnimin grafik e ka realizuar Rrezart Fejzullahu.
Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “KURORA” në Gjilan dhe u shtyp në shtypshkronjën “Lena Grafik” në Prishtinë.
Përmes një mesazhi publik, autori Këqiku ka shprehur falënderimet e tij më të sinqerta për të gjithë bashkëpunëtorët që mundësuan jetësimin e këtij botimi, duke u uruar lexuesve dhe dashamirëve të librit lexim të këndshëm. / dita24h /
