Muaji i Ndërgjegjësimit për Personat me Dëmtime në Shikim, i njohur si “Tetori i të Verbërve”, ka nisur sot me një vizitë të rëndësishme zyrtare në ambientet e Shoqatës Ndërkomunale të të Verbërve (ShNV) në Gjilan.
Në kuadër të aktiviteteve “Dyert e Hapura”, shoqata mirëpriti një delegacion të KFOR-it Amerikan.
Ekipi ushtarak, i kryesuar nga rreshterët Hawkins dhe Urtekar e i shoqëruar nga Jeton Imeri, u prit nga Kryetari i ShNV-së, Bajram Spahiu, dhe Menaxheri i Shërbimeve, Agim Halimi.
Përfaqësuesit e shoqatës i njoftuan zyrtarët e KFOR-it me veprimtarinë e përgjithshme të OJQ-së, projektet dhe aktivitetet që janë aktualisht në realizim e sipër, si dhe me arritjet kryesore të deritanishme.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua hapur për sfidat me të cilat përballet organizata dhe vetë komuniteti i personave me dëmtime në shikim në nivel lokal.
Fokusi kryesor i këtij takimi ishte ngritja e marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëpunimi përfshirës. Përfaqësuesit e KFOR-it amerikan shprehën gatishmërinë e tyre të plotë për të mbështetur iniciativa dhe aktivitete mediatike ndërmjet komuniteteve të ndryshme, si dhe për të përkrahur projekte të tjera me rëndësi për të gjitha etnicitetet në rajonin e Anamoravës.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në fillimin e këtij muaji sensibilizues, duke rikonfirmuar partneritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme të forcave paqeruajtëse për komunitetin në Gjilan dhe më gjerë.
