KRONIKË / Policia në Gjilan shqipton rreth 1500 gjoba dhe pezullon 52 patentë shoferë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka bërë të ditur bilancin e aktiviteteve të realizuara gjatë periudhës kohore nga 22 deri më 28 maj 2026.

Në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në rrugë, policia ka shqiptuar gjithsej 1,491 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.

Gjatë kësaj jave, organet e rendit kanë hetuar gjithsej 22 aksidente komunikacioni, prej të cilëve 10 kanë qenë me dëme materiale, 11 me të lënduar, ndërsa fatkeqësisht është regjistruar edhe një aksident me pasoja fatale.

Për shkak të shkeljeve më të rënda të rregullave, policia ka shqiptuar masën e ndalimit të drejtimit të mjetit motorik për 52 ngasës, të cilëve u është pezulluar përkohësisht patentë shoferi.

Sa i përket gjobave specifike, gjatë kontrolleve rutinë dhe pikave të kontrollit janë ndëshkuar 32 shoferë për përdorim të telefonit celular gjatë ngasjes, si dhe janë shqiptuar 21 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë.

Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka përsëritur apelin drejtuar të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar.

Policia kërkon veçanërisht shmangien e përdorimit të telefonave celularë apo pajisjeve të tjera që shpërqendrojnë vëmendjen gjatë vozitjes, pasi ky veprim rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve dhe cenon sigurinë e përgjithshme në rrugë.

 

Shpërndaj me të tjerët