Për gjeneratat e vjetra të adhuruesve të futbollit në Gjilan, emrat e tyre ngjallin nostalgji dhe krenari.
Muharrem Sahiti, Naser Bunjaku, Nehat Osmani dhe Shefqet Lajçi përbënin një nga sulmet më të frikshme të kohës, kur në vitin 1986 mbronin ngjyrat e klubit të quajtur atëkohë “Cërvena Zvezda” e Gjilanit, që garonte me sukses në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë.
Një fotografi e shkrepur gjatë përgatitjeve në Strugë në vitin 1986, tw publikuar nga Bunjaku, rikthen në kujtesë profilin e secilit prej këtyre lojtarëve që lanë gjurmë të pashlyeshme.
Nehat Osmani njihej si arkitekti i vërtetë i mesfushës, ai që i jepte ritëm, organizim dhe ngjyrë lojës së ekipit.
Nga ana tjetër, Naser Bunjaku shquhej si një mesfushor korpulent, me driblime të shpejta dhe një gjuajtje jashtëzakonisht të fortë që tmerronte portierët rivalë.
Rrugëtimi i tyre mori përmasa edhe më të mëdha individuale. Muharrem Sahiti arriti të luante për KF “Prishtina” në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë, si dhe bëri karrierë ndërkombëtare në Zvicër, Bullgari e Turqi.
Ndërkaq, “gjahtari i golit” Shefqet Lajçi shkëlqeu në Ligën e Dytë Unike të asaj kohe, duke u shpallur shënuesi më i mirë i kampionatit gjatë sezonit vjeshtor të vitit 1989, duke lënë pas vetes me një gol më pak legjendën tjetër gjilanase, Xhelal Jetishin.

