Gjilan, 27 nëntor 2026 – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore, gjatë periudhës kohore 20.11.2026 – 26.11.2026, në vazhdën e zbatimit të planeve operative për siguri në trafik, kanë shqiptuar gjithsej 1,572 gjoba, raporton dita24h.
Gjatë kësaj periudhe, në kuadër të këtyre planeve, policia ka hetuar katër (4) aksidente të trafikut me dëme materiale dhe njëmbëdhjetë (11) aksidente të tjera me persona të lënduar.
Po ashtu, ndaj pesëdhjetë e tetë (58) ngasësve është shqiptuar masa e ndalim-drejtimit të mjeteve motorike për një kohë të caktuar, ndërsa janë shqiptuar edhe njëzet e pesë (25) gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë dhe tridhjetë e tre (33) gjoba të tjera për përdorim të telefonit mobil gjatë vozitjes.
Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafik, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik: uleni shpejtësinë, mos përdorni telefonin, vendosni rripin e sigurimit, tregoni kujdes ndaj këmbësorëve dhe mos e neglizhoni sinjalistikën rrugore e semaforët.
Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Ndihmoni në uljen e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës!
