KULTURË/ Piktori kosovar Prof. Hajrush Fazliu nderohet me mirënjohje ndërkombëtare në Turqi

Piktori i njohur nga Kosova, Prof. Hajrush Fazliu, ka marrë një tjetër vlerësim ndërkombëtar, duke u nderuar me mirënjohje të veçantë në edicionin e nëntë të “Chapeao Kalpak Art Symposium”, i mbajtur nga 3 deri më 12 korrik 2026 në Şarköy të Tekirdağit, Turqi.

Mirënjohja iu dha për kontributin e tij artistik, të cilin organizatorët e vlerësuan si një “kontribut bujar me energji dhe ngjyrë në harmoninë e Natyrës, Verës dhe Artit”.

Sipas Prof. Fazliut, ky vlerësim përfaqëson jo vetëm një sukses personal, por edhe një dëshmi të pranisë së vazhdueshme të artit bashkëkohor të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Ai theksoi se përmes krijimtarisë së tij shumëvjeçare ka synuar të ndërtojë ura komunikimi mes kulturave, duke e bërë pikturën një gjuhë universale që tejkalon kufijtë gjeografikë dhe gjuhësorë.

Fazliu vlerësoi se çdo mirënjohje e fituar jashtë vendit është një kontribut në promovimin e artit shqiptar dhe një dëshmi se talenti, përkushtimi dhe identiteti kulturor gjejnë vlerësim në arenën ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e tij në simpoziume ndërkombëtare, krahas artistëve nga vende të ndryshme të botës, sipas tij, ndihmon në forcimin e imazhit të Kosovës si vend i kulturës, krijimtarisë dhe dialogut artistik.

Në fund, Prof. Hajrush Fazliu shprehu mirënjohje të veçantë për organizatorin Bülent Kapllak dhe kuratorin Prof. Dr. Orhan Cebrailoğlu, si dhe për të gjithë kolegët artistë për vlerësimin dhe mbështetjen e dhënë.

Ky është një tjetër sukses që e radhit Prof. Hajrush Fazliun ndër përfaqësuesit më të denjë të artit pamor kosovar në skenën ndërkombëtare.

Shpërndaj me të tjerët