Shoqata për Edukim, Arsim dhe Kulturë “Elita” në Shkup ka ndarë një mirënjohje të veçantë pas vdekjes për personalitetin e shquar, hoxhën dhe dijetarin e mprehtë Hafëz Idriz Dërmaku.
Hoxha i nderuar, i cili rrejdhte nga Shipashnica e Epërme e Kamenicës dhe që vitet e fundit të jetës i kaloi në Gjilan, u vlerësua lart për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të fesë dhe komunitetit.
Ky vlerësim vjen si dëshmi e gjurmëve të pashlyeshme që ai la pas në mbarë rajonin e Anamoravës dhe më gjerë.
Në këtë ceremoni festive, në emër të familjes, mirënjohjen e ka pranuar djali i tij, profesori Muhamet Dërmaku.
Gjatë dorëzimit të këtij çmimi, u zgjodhën fjalët më të zgjedhura dhe prekëse për të përshkruar figurën e tij të ndritur:
“Ka njerëz që jetojnë me emrin e tyre, e ka të tjerë që jetojnë në zemrat dhe kujtesën e popullit. Jeta e tyre bëhet dritë për të tjerët, fjala e tyre udhëzim, ndërsa vepra e tyre mbetet amanet për brezat. Sonte, me nderim dhe respekt të thellë, kujtojmë një njeri që i shërbeu Kur’anit, fesë dhe njerëzve me përkushtim të rrallë, duke ia dorëzuar këtë mirënjohje familjes së tij, në nderim të figurës së paharruar të Hafëz Idriz Dërmakut (1934–2020).”

