​KULTURË/Sukses i dyfishtë për AKV “Gjilani” në festivalin “Oda Dibrane”

Ansambli i Këngëve dhe Valleve (AKV) “Gjilani” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në skenën kulturore mbarëkombëtare, duke u stolisur me dy çmime kryesore në edicionin e 32-të të festivalit tradicional “Oda Dibrane”, i cili u zhvillua në Dibër dhe Peshkopi.

​Mes një konkurrence të fortë me ansamble pjesëmarrëse nga të gjitha trojet shqiptare, AKV “Gjilani” dëshmoi nivel të lartë artistik dhe përkushtim ndaj trashëgimisë kulturore, duke u vlerësuar nga juria me vendin e parë të festivalit.

​Përveç çmimit kryesor si ansambli më i mirë, suksesi i AKV “Gjilani” u kurorëzua edhe me një vlerësim individual. Anëtari i këtij ansambli, Emrush Demiri, u shpall “Instrumentalisti më i mirë” i edicionit të 32-të, duke lënë mbresa me interpretimin e tij virtuoz.

​Përmes lojës me valle popullore, interpretimit muzikor dhe prezantimit dinjitoz të zakoneve, ansambli nga Gjilani përfaqësoi në mënyrë të shkëlqyer vlerat e pasura të folklorit dhe traditës kombëtare.

​Ky sukses është mirëpritur me emocione dhe krenari të madhe në qytetin e Gjilanit, ku u përgëzuan të gjithë anëtarët, udhëheqësit artistikë dhe veçanërisht instrumentalisti Emrush Demiri për këtë përfaqësim dinjitoz në skenën mbarëkombëtare.

Shpërndaj me të tjerët