LOKALE/Policia në Gjilan mban ligjërata vetëdijesuese për sigurinë në dy shkolla të rajonit

GJILAN, 13 nëntor – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka zhvilluar sot aktivitete vetëdijesuese me nxënësit e dy institucioneve arsimore në këtë komunë, me qëllim të ngritjes së sigurisë dhe parandalimit të dukurive negative.

​Sipas njoftimit zyrtar të policisë, zyrtarët nga Njësia për Sektor dhe Komunitet e Stacionit Policor në Gjilan kanë ligjëruar fillimisht në shkollën “Don Bosko” në Gjilan.

Para nxënësve të klasave të dyta, ata kanë trajtuar temën “Siguria në komunikacionin rrugor”, duke i njohur fëmijët me rregullat themelore të qarkullimit.

​Aktiviteti i dytë është mbajtur në shkollën fillore “Skënderbeu” në fshatin Përlepnicë, ku me nxënësit e klasave të nënta është diskutuar mbi temën “Parandalimi i dhunës ndaj bashkëmoshatarëve dhe masat ligjore ndaj të miturve”.

​Nga Drejtoria Rajonale e Policisë bëjnë të ditur se këto takime synojnë forcimin e bashkëpunimit me institucionet arsimore, promovimin e kulturës së sigurisë dhe parandalimin e dukurive negative në mesin e të rinjve.

Shpërndaj me të tjerët