Gjilan, 29 nëntor 2026– Juristi i diplomuar Bashkim Isufi ka dalë me një propozim për rishikimin dhe harmonizimin e kufirit administrativ ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Komunës së Novobërdës, konkretisht në pjesën e urbanizuar të lagjes Dardania (Gavran), e cila shtrihet brenda zonës kadastrale të Koretishtës.
Ky propozim vjen pas Vendimit Nr. 11-V-074 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 27 nëntor 2026, me të cilin Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal është ngarkuar me hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativë të Komunave.
Duke u mbështetur në nenin 9 të këtij ligji, i cili parasheh ndryshimin e kufijve përmes plotësim-ndryshimit ligjor dhe pas konsultimit me qytetarët e zonave të prekura, Isufi kërkon që kjo hapësirë e urbanizuar të përfshihet në territorin administrativ të Komunës së Gjilanit.
Sipas tij, ndonëse kjo pjesë aktualisht gjendet brenda territorit administrativ të fshatit Koretishtë (Komuna e Novobërdës), ajo paraqet vazhdimësi territoriale dhe lidhje të drejtpërdrejtë funksionale me qytetin e Gjilanit, madje ka qenë e përfshirë edhe në Planin Detal Urban “Dardania 2”.
“Rishikimi i kufirit në këtë zonë do të mundësonte harmonizimin e organizimit administrativ dhe territorial me realitetin urban dhe funksional në terren, duke kontribuar në një planifikim dhe administrim më të përshtatshëm të kësaj hapësire, në interes të qytetarëve”, ka theksuar Isufi.
Ai ka kërkuar që kjo çështje të përfshihet në shqyrtimin e Komisionit përgjegjës gjatë procesit legjislativ, me qëllim të vlerësimit të mundësisë për harmonizimin e kufirit administrativ në përputhje me realitetin urban dhe funksional të kësaj pjese të qytetit./dita24h/
