Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Fadil Ademi, së bashku me Selami Nezirin dhe Dushi Bunjakun, kanë ndërmarrë një aktivitet simbolik por domethënës në shenjë mirënjohjeje për punëtorët e hapësirave publike në kuadër të Tregut të Qytetit, duke u dhuruar atyre uniforma pune.
Përmes një deklarate, Ademi ka theksuar rëndësinë e vlerësimit të punës ditore të këtyre punëtorëve:
“Është një gjest i vogël prej nesh, por mbi të gjitha është një mënyrë me iu thanë faleminderit për punën që bëjnë çdo ditë. Shpeshherë, kur ne ende jemi në gjumë, ata veç e kanë nisë punën për me i mbajtë hapësirat tona të pastra e të rregulluara.”
Aktiviteti u realizua me mbështetjen e miqve dhe dashamirësve të cilët ndihmuan në sigurimin e uniformave, si dhe me bashkëpunimin e drejtorit Bajram Isufi.
Organizatorët shprehën falënderime për të gjithë mbështetësit që po bëhen pjesë e nismave të tilla komunitare, duke përfunduar me mesazhin se përmes bashkëpunimit mund të bëhen punë edhe më të mëdha për qytetin e Gjilanit.
