Gjatë vizitave në fshatrat e Komunës së Gjilanit, ekipet e ndërmarrjes publike lokale NPL Tregu janë parë të angazhuara në mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve dhe hapësirave publike.
Edhe pse stina e vjeshtës dhe kushtet atmosferike sjellin sfida shtesë në terren, gjendja e pastërtisë vlerësohet e mirë falë punës së vazhdueshme të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.
Punëtorët që kujdesen për mirëmbajtjen përgjatë rrugëve regjionale dhe magjistrale nuk i shohin si pengesë gjethet e rëna apo ndonjë letër të hedhur rastësisht nga kalimtarët.
Shqetësimi i tyre kryesor mbetet papërgjegjësia e disa drejtuesve të automjeteve, të cilët gjatë lëvizjes hedhin qese me mbeturina, kanaçe dhe pako cigaresh nga dritaret e veturave.
Përmes një reagimi publik, NPL Tregu u bën thirrje qytetarëve, dhe në veçanti vozitësve, që të tregojnë më shumë kujdes dhe kulturë qytetare.
Përveç mbrojtjes së mjedisit, ndërmarrja kërkon respekt për punën e përditshme të punëtorëve që kujdesen për hapësirat e përbashkëta dhe përballen drejtpërdrejt me pasojat e këtyre sjelljeve të papërgjegjshme./dita24h /
