MJEKËSI/ Eliminohet lista e pritjes në Ortopedinë e Gjilanit

​Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka shënuar një arritje të rëndësishme në shërbimin ndaj qytetarëve, duke eliminuar tërësisht listën e pritjes për ndërhyrjet kirurgjike të planifikuara në Repartin e Ortopedisë.

Falë një bashkëpunimi të ngushtë dhe koordinimi mes Repartit të Ortopedisë, atij të Anestezionit dhe Sallës Operative, pacientët që kërkojnë trajtim kirurgjik ortopedik nuk përballen më me pritje të gjata shumëvjeçare, por mund t’i nënshtrohen operacioneve brenda pak ditësh.

​Drejtuesit e spitalit e kanë vlerësuar këtë rezultat si fryt të përkushtimit profesional të stafit mjekësor dhe menaxhimit të mirëfilltë të burimeve njerëzore e logjistike.

Krahas këtij hapi madhor për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor, spitali njoftoi se së shpejti pritet të bëhet edhe zgjerimi i shërbimeve me vendosjen e endoprotezave totale, duke u ofruar pacientëve të rajonit trajtim të kompletuar ortopedik.

Shpërndaj me të tjerët