Ka ndërruar jetë arsimtari i njohur i Fizikës nga Karaqeva e Epërme e Kamenicës, Naim Kastrati, duke lënë pas një boshllëk të madh te familja, kolegët, ish-nxënësit dhe të gjithë ata që e njohën.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e kanë bërë të ditur familjarët përmes një njoftimi mortor.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe të afërmit se sot u nda nga jeta babai ynë. Varrimi do të bëhet në ora 18:00. I përjetshëm qoftë kujtimi për të. Familja Kastrati.”
I ndjeri Naim Kastrati kishte afro 40 vjet përvojë në arsim, gjatë së cilës dha një kontribut të çmuar në edukimin e brezave të tërë të nxënësve.
Ai punoi dhe kontribuoi në disa shkolla të Komunës së Kamenicës, ndërsa pjesën më të madhe të karrierës së tij ia kushtoi mësimdhënies së lëndës së Fizikës në Karaqevën e Epërme dhe Karaqevën e Poshtme.
Edhe pse ishte mësimdhënës i Matematikës dhe Fizikës, ai u identifikua kryesisht me mësimdhënien e Fizikës.
Ai do të kujtohet si një mësimdhënës i përkushtuar, serioz, me integritet dhe profesionalizëm të lartë, i respektuar nga kolegët dhe i dashur për breza të tërë nxënësish, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin e Kamenicës.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Kastrati, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën.
I qoftë i lehtë dheu dhe i përjetshëm kujtimi për të.
