Në moshën 83-vjeçare, ka ndërruar jetë mësuesi i shumë gjeneratave, Burhanedin (Fehmi) Salihu, duke lënë pas një trashëgimi të pasur profesionale dhe njerëzore.
Lajmin mortor e kanë konfirmuar familjarët e të ndjerit përmes një njoftimi për miqtë dhe dashamirët.
“Të nderuar shokë, miq dhe dashamirë, po ju njoftojmë që sot ndërroi jetë më i dashuri ynë Burhanedin (Fehmi) Salihu, në moshën 83-vjeçare, duke na lënë përgjithmonë të pikëlluar,” thuhet në njoftimin e familjes.
Sipas familjarëve, ceremonia e varrimit do të bëhet nesër, e hënë (27 prill 2026), në varrezat e qytetit në Gjilan, në ora 13:00.
Mësuesi Burhan, siç e thërrisnin shkurt ishte I lindur në Përlepnicë, por i integruar si qytetar i vjetër i Gjilanit, Burhanedini kreu shkollimin e tij në Preshevë, Tërnoc dhe Gjilan, për të diplomuar më pas në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë.
Karriera e tij në arsim ishte e gjatë dhe e suksesshme. Pasi punoi fillimisht në Makresh të Ulët, ai u bë pjesë e shkollës fillore “Musa Zajmi” në Gjilan nga shtatori i vitit 1968, ku shërbeu si mësimdhënës i ciklit klasor deri në pensionimin e tij në vitin 2009.
I përshkruar si mësues shumë i dashur për nxënësit dhe fjalëpakë me kolegët, ai njihej për vendosmërinë dhe angazhimin e tij për çështjen kombëtare.
Mësuesi Burhanedin la pas vetes një familje shembull, ndërsa djali i tij, Venhar Salihu, shërben si Kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan.

