NGROHJE/Investime 49 mijë dollarë për kaldaja me pelet në çerdhe dhe ambulanca në Bujanoc

Bujanoc – Ka përfunduar me sukses projekti për zëvendësimin e kaldajave të vjetra me naftë me sisteme të reja ngrohjeje me pelet në disa institucione publike të Komunës së Bujanocit, duke synuar uljen e ndotjes së ajrit dhe rritjen e efiçiencës së energjisë.

​Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili njoftoi se investimi është realizuar në çerdhen “Gëzimi ynë” në Bujanoc, si dhe në ambulancat shëndetësore në Tërnoc dhe Klenik. Sipas tij, kalimi nga nafta në pelet do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së ajrit, kursimin e energjisë dhe përmirësimin e kushteve të ngrohjes për fëmijët, pacientët dhe stafin e këtyre institucioneve.

​Vlera e përgjithshme e këtij investimi kap shifrën prej 49 mijë dollarësh, ku 70 për qind e mjeteve janë financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa 30 për qind janë siguruar nga Komuna e Bujanocit, në kuadër të iniciativës “BE për Agjendën e Gjelbër në Serbi”, e zbatuar përmes UNDP-së.

​Në fund të njoftimit, kryetari Pajaziti falënderoi Bashkimin Evropian, UNDP-në dhe partnerët e tjerë për mbështetjen dhe bashkëpunimin, duke theksuar se komuna do të vazhdojë me investime konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe mbrojnë mjedisin./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët