OPINION/ Nëse duam t’i dhurojmë shoqërisë diçka të vlefshme, le t’i dhurojmë fëmijë të edukuar me dashuri

Nga: Ma. Sc. Besnik Sherifi

1 Qershori është Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Fëmijëve, një moment ku vëmendja e prindërve, shoqërisë dhe institucioneve rikthehet plotësisht te respektimi i të drejtave, kujdesi dhe rritja e mirëqenies së më të vegjëlve tanë.

Në këtë ditë, fëmijët bëhen qendra e botës përmes aktiviteteve të shumta. Për ndryshim nga të rriturit, “protesta” e tyre ndaj botës bëhet në formën më të bukur: përmes lojërave rekreative dhe sociale.

Përtej festës, 1 Qershori është një thirrje e fuqishme sensibilizuese për të ndaluar dhunën dhe abuzimin. Eksponimi ndaj dhunës në fëmijëri pa dyshim që formëson individë të dhunshëm, agresivë, konfliktuozë dhe delikuentë.

Prandaj, angazhimi dhe përkushtimi ndaj tyre mbetet jetik. Sjellja e ngrohtë, kontakti dhe kujdesi krijojnë te fëmija ndjenjën e sigurisë, rrisin vetëbesimin dhe i bëjnë ata ta shohin të ardhmen me optimizëm.

Roli i prindërve dhe mjedisit në zhvillim

Zhvillimi i fëmijës kalon nëpër stade të ndryshme kognitive, sociale e emocionale. Në këtë rrugëtim, roli i prindërve është i zëvendësueshëm përmes mënyrës së sjelljes, komunikimit dhe socializimit.

Një peshë të madhe mban edhe familja e gjerë, rrethi social, mjedisi dhe institucionet edukativo-arsimore.

Sipas psikologut James (2016), zhvillimi ynë ngjan me ngjitjen në degët e një peme. Në secilën fazë të jetës, ne kalojmë nëpër degë të ndryshme, në varësi të mënyrës se si janë kujdesur për ne në fëmijëri.

Nëse do ta krahasonim shëndetin emocional me kurorën e një peme, ekziston rreziku që për shkak të mungesave ose keqtrajtimit në moshën e hershme, të biem në grackën e një “dege të ulët”.

Kjo pastaj na çon në degëzime të reja që, me shumë gjasë, mund ta gjejnë veten në fund të një rrugëtimi vetëshkatërrues, nën efektin e varësive apo problemeve dhe çrregullimeve të ndryshme psikologjike.

Dhurata më e mirë për shoqërinë

Po e përmbyll me një thënie mjaft domethënëse të M. Chaves:

“Nëse duam t’i dhurojmë shoqërisë diçka të vlefshme, le t’i dhurojmë fëmijë të edukuar me dashuri, pasi në këtë mënyrë i dhurojmë njerëz të ndershëm, të lumtur, aktivë e të pavarur.”

Edukimi me dashuri nuk është thjesht një përgjegjësi prindërore, por investimi më i sigurt për një shoqëri të shëndoshë.

(Autori është Specialist i Psikologjisë Klinike)

 

Shpërndaj me të tjerët