Një kampionat që nisi me projekt të qartë për titull, Kupë ose Evropë, përfundoi në mënyrën më të dështuar për SC Gjilanin.
Një nga klubet me histori dhe traditë më të pasur në futbollin kosovar arriti ta siguronte mbijetesën në Superligë vetëm në xhiron e fundit.
Për një klub si Gjilani, ky nuk ishte thjesht një sezon i vështirë, por një zhgënjim sportiv që kërkon reformë rrënjësore.
Gazetari gjilanas me përvojë të gjatë në sport, Sylejman Ismaili, ka bërë një rekapitullim dhe analizë të thellë të këtij edicioni për skuadrën bardhekuqe.
Fanella që peshon dhe përgjegjësia e humbur
Përpara se të flitet për taktika e transferime, duhet theksuar rendësia historike dhe pesha që mbartin ngjyrat e SC Gjilanit. Këto ngjyra përfaqësojnë identitetin e mijëra mbështetësve ndër vite.
Të përfaqësosh këtë skuadër është privilegj që kërkon përgjegjësi të lartë profesionale, diçka që një pjesë e mirë e futbollistëve aktualë nuk arritën ta dëshmonin.
Fanella e këtij klubi kërkon angazhim maksimal dhe kushdo që nuk i përmbush këto standarde, e ka të vështirë të justifikojë praninë në ekip.
Kryesia korrekte, skuadra dështoi në fushë
Nëse ka diçka që duhet veçuar pozitivisht, ajo është padyshim puna e kryesisë. Kryetari Fatlum Pireva, i mbështetur fuqishëm nga bashkëpunëtorët e tij, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami, dëshmuan përkushtim serioz.
Me mjetet e tyre financiare, ata krijuan një ambient ku asgjë nuk mungonte, duke siguruar paga dhe kushte elitare.
Financimi ishte i projektuar për kreun e tabelës, por skuadra u përgjigj duke zhgënjyer totalisht në fushë dhe duke e futur klubin në ankth deri në sekondat e fundit.
“Skifterat” – Mbështetje masive për një ekip pa ide
Gjatë tërë kampionatit, ata që e përjetuan më së rëndi këtë ecuri ishin tifozët, “Skifterat”.
Duke mos e lënë kurrë vetëm skuadrën në asnjë ndeshje, ata u detyruan të shihnin një ekip pa ide dhe pa motiv sportiv.
Zhgënjimi i tyre është plotësisht i justifikueshëm; një mbështetje kaq masive meriton rezultate dinjitoze dhe jo luftë për ekzistencë.
Koha për “fshesën”: Çka pritet të ndodhë tani?
Tani që kampionati ka përfunduar, kryesia ka përpara një periudhë vendimtare. Për ta kthyer klubin në nivelet që i takojnë, hapi i parë pritet të jetë një riorganizim i thellë.
Flitet se rreth 70 për qind e futbollistëve aktualë do të largohen, pasi kanë mbyllur ciklin e tyre.
Ndryshime priten edhe në stol. Skuadrës i nevojitet një drejtim i ri dhe një trajner që aplikon futboll modern. Çdo afrim i ri duhet të bëhet përmes një skautimi të mirëfilltë dhe projekti afatgjatë.
Kryetari Fatlum Pireva dhe drejtuesit e tjerë kanë vullnetin për ta mbështetur klubin, por tani është momenti për vendime të prera sportive që edicioni i ardhshëm ta gjejë Gjilanin përsëri në majat e futbollit kosovar.

