Petrit Ajetit i vazhdohet mandati në krye të AKI-së edhe për pesë vjet

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) do të vazhdojë të udhëhiqet nga Petrit Ajeti edhe për pesë vitet e ardhshme.

Vendimi është nënshkruar sot nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes një njoftimi zyrtar, Haxhiu bëri të ditur se ky vendim vjen si pasqyrim i besimit në profesionalizmin, integritetin dhe lidershipin e treguar nga Ajeti në mbrojtje të sigurisë kombëtare dhe forcimin e institucioneve të sigurisë.

“Gjatë këtij takimi, e falënderuam z. Ajeti për punën e shkëlqyer dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të kaluar,” u shpreh Haxhiu, duke vlerësuar lart kontributin e tij në krye të institucionit më të lartë të inteligjencës në vend.

Vazhdimi i këtij mandati siguron stabilitet dhe vazhdimësi në operacionet e AKI-së, në një kohë kur sfidat e sigurisë mbeten prioritet i lartë i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Vlen të theksohet se Petrit Ajeti vjen nga një familje me traditë patriotike nga Gjilani.

Ai është vëllai i dëshmorit të kombit, Alban Ajetit, i cili ra heroikisht në mbrojtje të Kosovës.

 

Shpërndaj me të tjerët