Gjatë mbledhjes së fundit të kryesisë së Lëvizjes Vatra, është vendosur që Elbasan Shabani të jetë kryetari i ri i degës së këtij subjekti në Gjilan.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i deritashëm, Kushtrim Kadriu, i cili njoftoi se lëvizja është në një proces të rëndësishëm të krijimit dhe konsolidimit të degëve politike, me synim përgatitjen dhe organizimin sa më të mirë për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ky riorganizim vjen në prag të Konventës së Lëvizjes Vatra, ku pritet të zgjidhen të gjitha organet e reja drejtuese në nivel qendror dhe lokal.
Sipas udhëheqësisë së Vatrës, Shabani është dëshmuar si një aktivist i dalluar dhe me përvojë të çmuar në qeverisjen lokale, nga i cili pritet të sjellë një frymë të re pune dhe një reformim të plotë të strukturave në Gjilan.
Aktualisht, Elbasan Shabani mban pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme në Komunën e Gjilanit.
Përgjatë kësaj periudhe tremujore në krye të këtij dikasteri, ai ka treguar performancë të lartë dhe rezultate pozitive në reformimin e shërbimeve administrative, çka ka shërbyer si shtysë për marrjen e besimit të ri politik.
