SHËNDETËSI / Vendoset gurthemeli i objektit të ri të Pediatrisë në Spitalin e Gjilanit

Sot është shënuar një moment i rëndësishëm për shëndetësinë publike në Anamoravë me vendosjen e gurthemelit të objektit të ri për Shërbimin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.

Ky investim madhor, me një vlerë prej 996,687.37 euro i iniciuar nga SHSKUK-ja, do të shtrihet në një hapësirë mbi 1000 m².

Objekti i ri do të jetë i pajisur me infrastrukturë moderne dhe hapësira të përshtatshme për diagnostikim, trajtim dhe kujdes profesional, duke krijuar kushte bashkëkohore për pacientët e vegjël dhe stafin mjekësor.

Në ceremoninë zyrtare mori pjesë Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi se ky projekt paraqet një zotim të rëndësishëm të qeverisë për krijimin e objekteve moderne në Gjilan dhe rrethinë, duke siguruar stafin se do të kenë mbështetje të vazhdueshme.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shtoi se projektet e këtilla do të shtrihen edhe në institucione të tjera shëndetësore për rritjen e cilësisë së shërbimeve, ndërsa drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, vlerësoi lart bashkëpunimin institucional që mundësoi jetësimin e kësaj iniciative.

Nga ana e tij, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Dr. Afrim Cana, deklaroi se ky projekt është një hap i madh drejt avancimit të sistemit shëndetësor dhe zgjerimit të gamës së shërbimeve pediatrike.

Ky vlerësim u mbështet edhe nga udhëheqësi i këtij shërbimi, Dr. Sadik Rashiti, i cili u shpreh se me këtë gurthemel po nis një kapitull i ri për trajtimin dinjitoz të fëmijëve.

Në këtë ngjarje morën pjesë profesionistë të shumtë shëndetësorë dhe përfaqësues institucionalë, të cilët e cilësuan ndërtimin si jetik për të ardhmen e rajonit.

 

Shpërndaj me të tjerët