Robert Rrahmani i Gjilanit, “Ylli i Javës” 

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.

Për javën e 27-të të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të SC Gjilani, Robert Rrahmani.

Ai u dallua në fitoren e rëndësishme si mysafir ndaj Prishtinës së Re me rezultat 2:1, duke realizuar golin e parë për skuadrën e tij.

Kjo fitore për ekipin e drejtuar nga Debatik Curri paraqet një hap të rëndësishëm drejt arritjes së objektivave sezonale, përkatësisht sigurimit të një pozite që dërgon në garat evropiane.

Vlerësimi për “Yllin e Javës” është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pas pranimit të çmimit, Rrahmani u shpreh i lumtur për këtë vlerësim, duke theksuar se meritat i takojnë të gjithë skuadrës.

Ai nënvizoi se përgatitja maksimale nga trajneri dhe stafi, si dhe zbatimi i detyrave nga lojtarët në fushë, kanë qenë çelësi i suksesit në këtë ndeshje.

Në fund, ai ia dedikoi çmimin bashkëlojtarëve, stafit dhe familjes së tij, për mbështetjen e vazhdueshme.

Shpërndaj me të tjerët