SHËNDETËSI/Bashkëpunim institucional në Gjilan për mbështetjen e grave të prekur nga kanceri i gjirit

Drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjilanit, Mimoza Kadriu, së bashku me drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Basri Kamberi, si dhe dy psikologet e kësaj qendre, kanë pritur sot në takim përfaqësueset e OJQ-së “Renesansa”.

​Fokus kryesor i kësaj organizate është mbështetja e grave që përballen me kancerin e gjirit, si dhe i atyre që e kanë mbijetuar këtë sëmundje.

​Gjatë takimit u diskutua hapur për mundësitë e bashkëpunimit dypalësh, adresimin e nevojave dhe kërkesave urgjente të kësaj kategorie, si dhe për mënyrat konkrete të përmirësimit të qasjes në shërbimet shëndetësore dhe mbështetjen psikologjike.

​Nga ana e saj, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u zotua se do të vërë në dispozicion të gjitha kapacitetet ekzistuese brenda kompetencave të saj dhe shërbimeve që ofron QKMF-ja.

Qëllimi kryesor mbetet që çdo paciente dhe mbijetuese e sëmundjes të marrë kujdesin, mbështetjen dhe shërbimet e nevojshme mjekësore e psikologjike.

​Drejtuesit komunalë theksuan se bashkëpunimi institucional me organizatat e shoqërisë civile që janë pranë këtyre grave është thelbësor për ndërtimin e shërbimeve më të qasshme, më cilësore dhe më të ndjeshme ndaj nevojave të tyre.

​“Përtej trajtimit mjekësor, çdo grua ka nevojë për mbështetje, mirëkuptim dhe shpresë. Së bashku mund të bëjmë më shumë,” u nëvizua gjatë takimit.

Shpërndaj me të tjerët