Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu, ka zhvilluar sot vizita pune në dy Qendra të Mjekësisë Familjare: QMF “Ramiz Cërnica” dhe QMF “Emine” në lagjen Arbëria.
Gjatë këtyre vizitave, drejtoresha Kadriu u njoftua nga afër me punën e përditshme të stafit shëndetësor, kushtet e ofrimit të shërbimeve mjekësore si dhe nevojat kryesore të këtyre qendrave.
Në bashkëbisedim me mjekët dhe personelin shëndetësor u diskutua për sfidat me të cilat përballen ato gjatë punës operativ, si dhe për mundësitë reale të avancimit të cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Kadriu theksoi se Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale mbetet e përkushtuar që, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me stafin mjekësor, të përmirësojë kushtet e punës dhe të sigurojë shërbime sa më cilësore, efikase dhe të qasshme për të gjithë qytetarët.
