Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjilanit njofton të gjithë qytetarët se sonte, duke filluar nga ora 19:30, ka nisur realizimi i projektit për dezinsektimin hapësinor në të gjithë territorin e komunës.
Përmes një deklarate për mediat, drejtoresha e Shëndetësisë në Gjilan, Mimoza Kadriu, bëri të ditur se ky aktivitet ndërmerret në kuadër të masave për mbrojtjen e shëndetit publik dhe kontrollin e insekteve, me fokus të veçantë në reduktimin e mushkonjave.
Me qëllim mbarëvajtjen e këtij procesi dhe parandalimin e çdo shqetësimi eventual, Komuna e Gjilanit u bën thirrje qytetarëve që gjatë kohës së spërkatjes:
Të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat ku zhvillohet procesi;
Të mbajnë dritaret e mbyllura gjatë kalimit të ekipeve në terren;
Bletarët të ndërmarrin masat e nevojshme mbrojtëse për ruajtjen e bletëve.
Komuna e Gjilanit falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre në këtë aksion me rëndësi për shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme.
