​KULTURË/ Nderohen figurat e arsimit dhe promovohen tri libra të rinj në Pogragjë

Në hapësirat e Shkollës Fillore “Liria” në Pogragjë u mbajt manifestimi kulturor, përkujtimor dhe promovues “Takimet e Pogragjës 2026”.

Ngjarja u hap me një solokëndim me motive mërgimi nga tenori i njohur pogragjas, Luan Durmishi, duke i dhënë programit një fillim të veçantë artistik dhe emocional.

​Në fjalën hyrëse, Bujar Salihu theksoi lidhjen e pandashme të njeriut me vendlindjen si dhe përgjegjësinë ndaj saj.

Me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe kryetarja e Shoqatës “Pogragja”, Shpresa Hyda, si dhe koordinatori i manifestimit, kryetari i Këshillit të Fshatit dhe drejtori i shkollës, Avdil Islami. Po ashtu, të pranishmit i përshëndeti kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi-Kqiku.

​Pjesa e parë e programit iu kushtua jetës dhe veprës së dy personaliteteve të shquara të arsimit e kulturës, profesor dr. Nuhi Rexhepit dhe profesor Sherafadin Kadriut.

Për figurën e profesor dr. Nuhi Rexhepit foli profesor Xhafer Xhaferi, ndërsa për krijimtarinë e profesor Sherafadin Kadriut foli shkrimtari Sabit Rrustemi.

Në emër të familjeve përshëndetën Fatmir Rexhepi dhe Yll Kadriu, kurse vajza e profesor Sherafadinit, Saranda Kadriu, recitoi poezinë “Shqipëria e mësues Nazimit”, kushtuar mësuesit Nazim Limoni.

​Në pjesën e dytë u promovuan tri vepra të autorëve vendas: “Shënime historike për Kosovën” e profesor dr. Femi Rexhepit (paraqitur nga dr. Fitim Rifati), monografia “Pogragja ndër shekuj” e profesor Xhafer Xhaferit (prezantuar nga profesor dr. Femi Rexhepi), si dhe libri “Toponimet e vendlindjes sime” i profesor Izeir Hydës (prezantuar nga Bujar Salihu).

Programi u pasurua edhe me pika muzikore në flaut nga motrat Mira dhe Arzije Rifati.

​Organizatorët shprehën synimin që “Takimet e Pogragjës” të shndërrohen në një traditë të përvitshme për afrimin e brezave, forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe promovimin e krijimtarisë.

Ngjarja u përmbyll me falënderime për të gjithë kontribuuesit dhe me një koktej rasti për pjesëmarrësit.

Shpërndaj me të tjerët