Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan ka përmbyllur me sukses aktivitetet e organizuara në kuadër të Javës Botërore të Gjidhënies, të mbajtura nga data 3 deri më 7 gusht 2026, nën moton “Ushqyerja me gji për një fillim të qëndrueshëm në jetë – Forconi atë që funksionon”.
Gjatë kësaj periudhe, në hapësirat e QKMF-së dhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare janë zhvilluar sesione këshilluese dhe edukative të dedikuara për gratë shtatzëna, nënat gjidhënëse dhe të gjitha gratë e interesuara.
Përmbyllja e aktiviteteve u bë më 7 gusht përmes një takimi edukativ në grup, ku pjesëmarrëset patën mundësinë të bashkëbisedojnë hapur, të parashtrojnë pyetje dhe të marrin udhëzime profesionale mbi procesin e gjidhënies dhe kujdesin ndaj foshnjës.
Në këto aktivitete morën pjesë gjithsej 20 gra. Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së gjidhënies ekskluzive gjatë gjashtë muajve të parë të jetës, përfitimeve të qumështit të gjirit për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës, si dhe rolit të tij kyç në forcimin e sistemit imunitar.
Pjesëmarrëset e vlerësuan lart këtë iniciativë, duke veçuar rëndësinë e këshillave praktike dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me personelin shëndetësor.
Mbështetja profesionale përgjatë tërë javës u ofrua nga infermieret Sebahate Haziri dhe Luljeta Qorrolli, në bashkëpunim me ekipin shëndetësor të QKMF-së dhe QMF-ve.
QKMF – Gjilan konfirmon përkushtimin e saj për vazhdimin e aktiviteteve edukative dhe promovuese në shërbim të shëndetit të nënës dhe fëmijës, nën mesazhin:
“Mbështetja e sotme, shëndeti i nesërm!”
