LOKALE/ Banorët e lagjes Kamnik në Gjilan paralajmërojnë bllokimin e kamionëve të “EcoHigjienës” për shkak të ndotjes së rrugëve

Banorët e lagjes Kamnik dhe të rrugës “Demush A. Shabani” në Gjilan kanë shprehur shqetësimin e tyre publik lidhur me kushtet e papranueshme higjienike të shkaktuara nga kompania për menaxhimin e mbeturinave “EcoHigjiena”.

Përmes një reagimi të publikuar në faqen e tyre në rrjetin social Facebook, ata kanë bërë të ditur se kamioni i kësaj kompanie, gjatë mbledhjes javore të mbeturinave, vazhdimisht derdh lëngje ndotëse nëpër rrugë, duke shkaktuar kundërmim të jashtëzakonshëm dhe duke rrezikuar shëndetin e banorëve, e veçanërisht të fëmijëve që luajnë në ato hapësira.

​Përmes këtij reagimi, banorët i kanë drejtuar një paralajmërim të prerë kompanisë “EcoHigjiena”, duke kërkuar ndërrimin urgjent të mjetit transportues dhe përdorimin e një kamioni që i plotëson kushtet teknike e higjienike.

Ata kanë paralajmëruar se, nëse ky problem nuk zgjidhet menjëherë, nga java e ardhshme nuk do të lejojnë më hyrjen e kamionit të kësaj kompanie në lagjen e tyre.

​Gjithashtu, banorët i kanë bërë thirrje zyrtare Drejtorit për Shërbime Publike në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Ibrahimi, që të ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj kompanisë përgjegjëse dhe të kërkojë llogaridhënie për këtë situatë të përsëritur.

Duke kërkuar zgjidhje të shpejtë dhe jo arsyetime, banorët kanë nëvizuar se lagjja e tyre meriton një ambient të pastër e të sigurt për të gjithë.

Shpërndaj me të tjerët