SHËNDETËSI/Vizitë mbështetëse dhe donacion për fëmijët me aftësi të kufizuara

Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, e shoqëruar nga Zyrtarja për Çështje Sociale, Salihe Aliu, ka zhvilluar një vizitë pune në disa nga organizatat joqeveritare që ofrojnë mbështetje dhe shërbime ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara.

​Gjatë kësaj vizite, përfaqësueset e drejtorisë u njohën nga afër me punën e palodhshme të stafit, sfidat me të cilat përballen çdo ditë dhe nevojat kryesore të këtyre qendrave.

Përveç bashkëbisedimit me drejtuesit dhe stafin profesional, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhuroi edhe një donacion me veshmbathje për fëmijët që marrin shërbime në këto OJQ.

​Drejtoresha Kadriu Qerimi theksoi se kjo vizitë shërben si një mundësi për të riafirmuar përkushtimin e institucionit për krijimin e një shoqërie sa më gjithëpërfshirëse.

Çdo fëmijë meriton kujdes, mbështetje dhe mundësi të barabarta. Puna që bëhet në këto organizata është mjaft e çmueshme, ndaj mbështetja jonë si drejtori do të jetë e vazhdueshme,” u shpreh ajo.

​Kjo iniciativë është pjesë e angazhimit të pandërprerë të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të qëndruar afër kategorive më të ndjeshme të shoqërisë dhe për të bashkëpunuar ngushtë me sektorin civil.

Shpërndaj me të tjerët