SHËNDETËSI/ Hani më shumë këtë ushqim, studiuesit zbulojnë përfitime të mëdha për trurin

Nga Artan Jakupi

Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature Aging ka zbuluar se një përbërës natyral, i quajtur ergotioneinë, lidhet ngushtë me shëndetin e trurit dhe mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.

Hulumtimi analizoi 991 përbërës të gjakut te më shumë se 1,000 persona dhe arriti në përfundimin se individët me nivele më të larta të ergotioneinës kishin kujtesë dhe aftësi më të mira të të menduarit.

Lidhja u konfirmua në tre studime të ndara dhe madje ndihmoi në parashikimin e personave që më vonë zhvilluan Alzheimerin.

Ergotioneina është një antioksidant që organizmi nuk e prodhon vetë.

Ajo merret përmes ushqimit dhe grumbullohet në organe si truri, mëlçia dhe palca e kockave, ku ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga stresi oksidativ.

Sipas studiuesve, kërpudhat janë burimi më i pasur natyror i ergotioneinës. Ata theksojnë gjithashtu se përdorimi i disa ilaçeve kundër aciditetit të stomakut (PPI) mund të ulë nivelet e këtij përbërësi në organizëm.

Megjithatë, ekspertët sqarojnë se studimi tregon një lidhje mes ergotioneinës dhe shëndetit të trurit, por nuk dëshmon ende se konsumimi i kërpudhave ose marrja e suplementeve parandalon Alzheimerin.

Për këtë nevojiten studime të mëtejshme klinike.

Burimi: Ahmad, S. et al. “Metabolizmi i gjakut dhe shëndeti i trurit në moshën e mesme dhe ndikimet e gjeneve, mikrobiomës dhe ekspozomit.” Nature Aging (2026). doi:10.1038/s43587-026-01149-4

https://ëëë.nature.com/articles/s43587-026-01149-4

(Autori është profesori i Biologjisë me një përvojë të gjatë)

 

Shpërndaj me të tjerët