SOCIALE/  Fillojnë shërbimet rehabilituese për personat e verbër

Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve ka njoftuar anëtarët e saj dhe opinionin e gjerë publik se tashmë janë përfunduar me sukses të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e zbatimit të pikës buxhetore të dedikuar për shërbimet rehabilituese.

Ky proces po realizohet në kuadër të projektit të rëndësishëm “Shërbimet sociale/Specifike dhe rehabilituese”, i cili pritet të nisë konkretisht më 18 shtator 2026.

Përmes këtij programi human dhe social, do të ofrohen shërbime të specializuara rehabilituese dhe mbështetëse për personat e verbër dhe ata me dëmtime në të parë. Synimi kryesor i kësaj nisme mbetet rritja e pavarësisë së tyre në jetën e përditshme, përfshirja sa më e dinjitetshme sociale si dhe përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së jetës.

Nga kjo organizatë bëjnë me dije se do t’i njoftojnë me kohë të gjithë përfituesit lidhur me orarin e saktë, dinamikën e zhvillimit të aktiviteteve dhe procedurat që duhen ndjekur për pjesëmarrje në këto programe.

Me këtë rast, Shoqata ka shprehur një falënderim të veçantë për Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DShMS) në Gjilan për mbështetjen, si dhe të gjithë anëtarët për besimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Ata rikonfirmojnë përkushtimin e tyre maksimal për të ofruar shërbime sa më cilësore dhe për të mbrojtur me ngulm të drejtat e personave të verbër në rajon.

 

Shpërndaj me të tjerët