SOLEMNE /Juristi që mbrojti Pavarësinë e Kosovës në GJND, shpallet “Doctor Honoris Causa” në Gjilan

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (UKZ) ka mbajtur një ceremoni solemne për ndarjen e titullit më të lartë akademik, “Doctor Honoris Causa”, për juristin e njohur ndërkombëtar, Dr. Daniel Müller.

Ky vlerësim vjen si mirënjohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe mbështetjen e palëkundur për Republikën e Kosovës në proceset e saj historike.

Përpara fillimit të ceremonisë, Dr. Müller u prit nga Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ku nënshkroi Librin Amë të Universitetit. Ceremonia zyrtare nisi nën tingujt e himneve shtetërore të Kosovës, Shqipërisë, Gjermanisë dhe Francës, të interpretuara nga kori i grave “Muza”, nën drejtimin e profesoreshës Albina Jakupi.

Në fjalën e tij hapëse, Rektori Artan Dërmaku e cilësoi këtë si një moment historik për universitetin.

Ai vuri në dukje profilin e lartë të Dr. Müller, i cili ka qenë pjesë e mbi 50 proceseve gjyqësore në institucionet më prestigjioze si GJND dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Kontributi i tij në periudhën 2008–2010, si këshilltar juridik i Kosovës pranë GJND-së, ishte jo vetëm juridik, por edhe historik. Ai mbrojti të drejtën e një populli për vetëvendosje,” u shpreh Rektori Dërmaku.

Vendimin e Senatit e prezantoi Prorektorja Prof. Ass. Dr. Lindita Loku Nikqi, e cila në cilësinë e laudatores, shpalosi karrierën e pasur akademike të laureatit të formuar në universitete si ai i Potsdamit dhe Paris Nanterre.

Pas dorëzimit të diplomës nën tingujt e himnit akademik “Gaudeamus”, Dr. Müller u përshëndet me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Në fjalën e tij falënderuese, Dr. Müller u shpreh i prekur nga ky nderim. Ai kujtoi fillimet e tij nën mentorimin e prof. Otmar Seul dhe lidhjen e hershme me Kosovën që nga dimri i vitit 2009.

“Për mua, ky nder nuk është vetëm një vlerësim akademik, por një simbol i një lidhjeje të qëndrueshme me Kosovën dhe njerëzit e saj. Puna e juristëve merr kuptim vetëm kur i shërben dinjitetit njerëzor,” deklaroi Müller.

Ceremonia u mbyll me një program artistik, duke lënë pas një ditë të shënuar për botën akademike në Gjilan dhe më gjerë.

 

Shpërndaj me të tjerët