Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur sot në një takim zyrtar skuadrën e FC Dritës, e cila sapo është shpallur kampione e Kosovës në futboll.
Hyseni uroi futbollistët, shtabin teknik dhe drejtuesit e klubit për këtë arritje madhështore, duke e cilësuar titullin si një krenari të madhe për të gjithë qytetin sportdashës të Gjilanit.
Me këtë triumf të fundit, FC Drita u shpall kampione e Kosovës për herë të dytë radhazi dhe shënoi titullin e pestë në historinë e pasur të klubit bardhekaltër.
Kryetari Hyseni theksoi se ky sukses i jashtëzakonshëm erdhi me plot meritë si rezultat i punës dhe përkushtimit të treguar gjatë gjithë kampionatit.
Nga ana tjetër, drejtuesit e FC Dritës e falënderuan kryetarin për pritjen e ngrohtë dhe për përkrahjen e vazhdueshme financiare e morale.
Komuna e Gjilanit tashmë e ka kthyer në traditë mbështetjen e klubeve të qytetit, duke mbuluar veçanërisht kostot e fazave përgatitore, një praktikë kjo që po lehtëson dukshëm organizimin dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të sportit gjilanas në arenën vendore dhe asaj ndërkombëtare.

