Ramadani: Nuk na intereson loja e bukur, duam vetëm fitoren!
Klubi Futbollistik Drita është gati për ndeshjen e kthimit në kuadër të Raundit të Parë Kualifikues të UEFA Champions League, ku sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00, do të ballafaqohet me skuadrën lituaneze FK Kauno Žalgiris. Takimi i parë i luajtur në udhëtim kishte përfunduar me barazim 1:1.
Në konferencën për media para këtij takimi të rëndësishëm, trajneri i gjilanasve, Zekirija Ramadani, u shfaq i matur por i vendosur për të siguruar kalimin tutje, gjë që do t’u garantonte atyre të paktën fazën play-off në UEFA Conference League.
“Ky takim ka peshë të madhe për shumë arsye. Ekipi është në gjendje të mirë shëndetësore, kemi punuar mirë dhe i kemi analizuar gabimet tona dhe ato të kundërshtarit. Grupi është shumë homogjen”, deklaroi Ramadani.
Trajneri i Dritës vuri në dukje se kundërshtari ka përparësi fizike pasi ndodhet në mesin e kampionatit dhe ka zhvilluar 19 ndeshje zyrtare deri më tani, për dallim nga Drita që ka vetëm një. Megjithatë, ai beson te faktori fushë dhe përkrahja e tifozëve.
“Na favorizon fusha si vendas dhe shpresoj që shikuesit të na përkrahin masovikisht në tribuna. Nuk na intereson loja e bukur për sy, por na intereson kualifikimi dhe për këtë kemi marrë të gjitha masat. Duhet të jemi shumë të guximshëm, të marrim përgjegjësi nga minuta e parë dhe me lojë kolektive të kualifikohemi”, shtoi ai.
Sa u përket përforcimeve të reja, Ramadani u shpreh i kënaqur me përshtatjen e tyre graduale, duke nënvizuar se forca kryesore e Dritës mbetet kolektivi dhe jo individi: “Grupi i lojtarëve është tok, janë bashkë të rinj e të vjetër dhe funksionojnë si një familje.”
