Rrugëtimi i FC Dritës në garat evropiane vazhdon, teksa skuadra gjilanase ka mësuar zyrtarisht kundërshtarin e saj të radhës në UEFA Conference League.
Pas kalimit me sukses të raundeve paraprake, “Intelektualët” do të përballen me klubin nga San Marino, Tre Fiori F.C., në kuadër të raundit të tretë kualifikues. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 6 gusht 2026, me fillim nga ora 21:00, në stadiumin “San Marino Stadium” në Serravalle.
Përballja e radhës merr një rëndësi të veçantë për futbollin kosovar, pasi Drita ka mbetur e vetmja skuadër që përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare për këtë edicion. Kjo pas eliminimit të parakohshëm të dy skuadrave të tjera kosovare, Ballkanit dhe Malishevës, nga garat evropiane.
Përmes një komunikate për media, nga kampi bardhezi kanë shprehur optimizëm dhe përkushtim maksimal për përballjen e ardhshme:
“Një raund i ri, një sfidë e re, dhe vendosmëri e njëjtë për të përfaqësuar klubin tonë, tifozët tanë, dhe qytetin tonë me krenari. Bashkë për Dritën!”
Mbetet të shihet nëse nënkampionët e Kosovës do të arrijnë të shfrytëzojnë këtë moment për të prerë biletën drejt fazës tutje, duke mbajtur gjallë shpresat e tifozëve dhe të gjithë futbollit vendor.
