SPORT/ Dy karateistët gjilanas shkëlqejnë dhe rreshtohen të pestët në Ligën Botërore

Karateistët e talentuar nga Gjilani, Erina Sherifi (Kategoria Kadete -54 kg, nga klubi K.K. AS) dhe Amar Daku (Kategoria U14 -45 kg, nga klubi K.K. Agim Ramadani), kanë shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në Ligën Botërore të Karatesë, e cila u zhvillua  në Poreç të Kroacisë.

Në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë dhe me luftëra të nivelit të lartë, të dy garuesit arritën të pozicionohen në vendin e pestë në rangun botëror.

Ndonëse ishin shumë afër medaljes së bronztë, ata pësuan humbje në finalen për vendin e tretë vetëm për shkak të një pakujdesie të vogël në fund të ndeshjeve.

Pavarësisht kësaj, ky mbetet një rezultat kulmor, duke konfirmuar se Erina dhe Amari janë aktualisht ndër garuesit më të mirë jo vetëm nga Gjilani, por nga e gjithë Kosova.

Lajmin e ka bërë të ditur Alban Beqiri, Drejtor Sportiv i Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK) dhe njëherësh udhëheqës i delegacionit kosovar në këtë kampionat, i cili vlerësoi lart performancën dhe dinjitetin me të cilin këta sportistë e përfaqësuan qytetin e Gjilanit dhe shtetin e kosovës.

Shpërndaj me të tjerët