HISTORI E PATHËNË/ Shtëpia Bazë e UÇK-së në Stubëll, monument i besës dhe i luftës për liri

Nga: Ismet Sylejmani

Në historinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shtëpitë Bazë përbëjnë hallkat më të rëndësishme të organizimit, të veprimit dhe të zhvillimit me sukses të luftës çlirimtare!

Shtëpitë Bazë të UÇK-së nuk ishin vetëm vende të rëndomta për qëndrim të përkohshëm apo strehim të gjatë, por ishin qendra ku merreshin vendime të mëdha, ku projektohej e ardhmja e lirë dhe luftarake, ku ruheshin lidhjet operative dhe ku ndërtohej e farkëtohej besimi i palëkundur ndërmjet popullit dhe luftëtarëve të lirisë!

Vend të veçantë në këtë histori të shtëpive të luftës zë edhe Shtëpia Bazë e familjes Ramaj nga Stubëlla e Vitisë.

Nuk ishte aspak rastësi që kjo shtëpi u përzgjodh si bazë dhe u vendos pikërisht në Stubëll të Vitisë, një nga fshatrat e mëdha, me traditë të spikatur atdhetare, arsimore dhe kulturore. Ky fshat shqiptar katolik, i njohur ndër breza për ruajtjen e identitetit origjinal kombëtar, qëndroi gjithmonë i panënshtruar përballë pushtuesve.

Pozita e saj strategjike dhe autoriteti që familja gëzonte në Anamoravë, përkatësisht në Zonën Operative të Karadakut të UÇK-së, e bënin Stubllën e Vitisë një pikë me rëndësi të veçantë, e cila kurrë nuk u dekonspirua.

Kjo fshehtësi u ruajt me dinjitet deri në ditët e sotme, kur dy nga protagonistët e organizimit, drejtimit dhe komandimit të luftës së armatosur çlirimtare, Komandantët e UÇK-së Abdyl Bajrami dhe Gani Neziri, vendosën përfundimisht ta deklaronin para opinionit publik se shtëpia e Bacës Pal Ramaj dhe e familjes së tij ishte Shtëpi Bazë e UÇK-së.

Domethënien e kësaj baze e rrit edhe më shumë fakti se në këtë shtëpi kanë qëndruar dy figura të rëndësisë së veçantë të luftës: Abdyl Bajrami-Rremi, përgjegjës i G-2 të Shtabit të Zonës Operative të Karadakut, dhe Gani Neziri-Agimi, përgjegjës i G-2 të Brigadës 173 “Gursel e Bajram Sylejmani”.

Prania dhe qëndrimi i këtyre dy drejtuesve e komandantëve të lartë të zbulimit dhe kundërzbulimit ushtarak në të njëjtën vatër, dëshmon më së miri për besimin e jashtëzakonshëm që gëzonte familja Ramaj dhe rëndësinë operative që kishte kjo shtëpi në strukturën tonë luftarake.

Shtëpia Bazë e UÇK-së në Stubëll të Vitisë mbetet një monument i gjallë i mikpritjes dhe i besës origjinale shqiptare. Ajo përfaqëson lidhjen speciale e të pandashme ndërmjet popullit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një lidhje e cila, krahas ndihmës së çmuar të SHBA-së dhe Aleancës euroatlantike të NATO-s, u bë themeli i fitores, çlirimit dhe Pavarësisë së Kosovës nga Serbia pushtuese.

Prishtinë, 5 Korrik 2026

 

Shpërndaj me të tjerët