Kampionët e FC Ballkanit kanë zyrtarizuar goditjen e radhës në afatin kalimtar. Mesfushori i njohur gjilanas, Erlis Xhemajli, ka arritur marrëveshje me klubin nga Suhareka dhe nga sot është zyrtarisht pjesë e “portokallinjve”.
22-vjeçari i bashkohet skuadrës si një përforcim i rëndësishëm për sezonin e ri, duke blinduar repartin e mesfushës.
“Mirë se erdhe, Erlis! Të urojmë shumë suksese me fanellën portokalli e zi!”, thuhet në njoftimin e klubit.
Erlis Xhemajli vjen te FC Ballkani pas një periudhe tejet të suksesshme dyvjeçare me skuadrën e Dukagjinit, ku arriti të fitonte edhe Kupën e Kosovës. Mesfushori shkatërrues, i cili në të kaluarën ka djersitur edhe dresin e SC Gjilanit, ishte një nga emrat më të kërkuar në treg, duke refuzuar edhe oferta të shumta nga jashtë vendit për t’u bashkuar me kampionët.
Xhemajli njihet në futbollin kosovar si një lojtar fizikisht i fortë, punëtor i palodhur në fushë, me karakter të spikatur luftarak dhe me një saktësi të lartë në pasimet diagonale.
