Sport / KK “AS” shkëlqen në Turneun Ndërkombëtar “Ditët e Agimit” me 16 medalje

Klubi i Karatesë “AS” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në Turneun Ndërkombëtar “Ditët e Agimit”, i cili u zhvillua gjatë ditës së sotme në Kamenicë.

Sportistët e këtij klubi kanë dominuar në arenën e garave, duke arritur të rrëmbejnë gjithsej 16 medalje, sukses ky që konfirmon punën e palodhshme dhe nivelin e lartë teknik të kësaj shkolle të karatesë.

Sipas trajnerit të klubit, Alban Beqiri, bilanci i medaljeve përfshin 4 të arta, 3 të argjendta dhe 9 të bronzta.

Protagonistja kryesore e këtij suksesi ishte Erina Sherifi, e cila u dekorua me dy medalje të arta në të dyja disiplinat, atë të luftërave dhe në kata.

Një performancë të lartë tregoi edhe Kiara Beqiri, e cila fitoi medaljen e artë në luftëra dhe të argjendtën në kata, ndërsa Alnisa Miftari u stolit me të artën në luftëra dhe të bronztën në kata.

Në mesin e fituesve të medaljeve u renditën edhe Omer Shaqiri me medalje të argjendtë në luftëra dhe të bronztë në kata, si dhe Hatigje Zejnullahu që siguroi medaljen e argjendtë në disiplinën e luftërave.

Klubi “AS” dëshmoi forcën e tij edhe në disiplinën e katave, ku me medalje të bronzta u nderuan sportistët Morea Beqiri, Gegë Osmani, Amra Shaqiri, Alisa Vllasi, Noar Dervishi, Noa Mustafa dhe Kan Bunjaku.

Ky përfaqësim dinjitoz në një turne ndërkombëtar jo vetëm që pasuron sirtarin e trofeve të Klubit të Karatesë “AS”, por shërben edhe si një motiv shtesë për gjeneratat e reja që aspirojnë majat e këtij sporti luftarak.

Turneu “Ditët e Agimit” vazhdon të mbetet një platformë e rëndësishme për promovimin e talenteve dhe forcimin e bashkëpunimit sportiv në rajon.

 

Shpërndaj me të tjerët