Qyteti i Gjilanit ka përjetuar një ditë të veçantë festive nën organizimin e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit, ku u mbajt një turne futbolli për veteranët.
Ky aktivitet bëri bashkë emra që kanë shkruar historinë e futbollit në Anamoravë dhe më gjerë, duke dëshmuar se mjeshtëria dhe dashuria për sportin nuk njohin moshë.
Në këtë garë morën pjesë katër skuadra: dy rivalët e përjetshëm vendas, SC Gjilani dhe FC Drita, ekipi i Shqiponjave nga Vitia, si dhe mysafirët specialë nga Zvicra, ekipi i veteranëve të Lausanne Sport.
Turneu u karakterizua nga një atmosferë vëllazërore, por me një rivalitet sportiv që i ngjante viteve të arta të këtyre futbollistëve.
Më të suksesshmit në këtë përballje dolën veteranët e SC Gjilanit, të cilët treguan karakter dhe përgatitje të lartë në çdo ndeshje.
Ata nisën me një barazim 1:1 ndaj Shqiponjave, për të vijuar me fitoren e madhe në derbin lokal kundër FC Dritës me rezultat 1:0.
Suksesin e vulosën në takimin e fundit, ku mposhtën pastër ekipin zviceran Lausanne Sport me rezultatin 3:0.
Me këto rezultate, skuadra kuq e bardhë u shpall me meritë kampione e turneut.
Trofeu i vendit të parë u dorëzua nga kryetari i LRFGJ-së, Armend Misini, i cili përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit për frymën sportive dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në promovimin e vlerave të futbollit.
Ky turne shërbeu jo vetëm për garë, por edhe si një moment reflektimi për historinë dhe identitetin sportiv të qytetit të Gjilanit.

