Sport / Drita nuk gabon në Hajvali, bën hapin e madh drejt titullit të dytë radhazi

Në kuadër të javës së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll, FC Drita ka arritur një fitore tejet të rëndësishme në udhëtim, duke mposhtur Prishtinën e Re me rezultat minimal 1-0.

Ky triumf në stadiumin e Hajvalisë dëshmon formën e lartë të gjilanasve dhe vendosmërinë e tyre për të ruajtur primatin në futbollin kosovar.

Ndeshja ishte mjaft e luftuar, por momenti vendimtar erdhi në pjesën e parë.

Ishte minuta e 39-të, kur pas një depërtimi të rrezikshëm, sulmuesi i krahut Kristal Abazaj u ndal në mënyrë të palejuar brenda zonës, duke bërë që gjyqtari të tregonte pa hezitim pikën e bardhë.

Përgjegjësinë e mori kapiteni Besnik Krasniqi, i cili u tregua i gjakftohtë dhe shënoi për 1-0, rezultat që doli të ishte edhe përfundimtari i këtij takimi.

Me këtë fitore, Drita bën një hap gjigant drejt mbrojtjes së titullit, duke u ngjitur në kuotën e 63 pikëve.

Ky sukses e afron skuadrën gjilanase edhe më shumë me objektivin e madh, shpalljen kampion për të dytin vit radhazi, duke konfirmuar dominimin e tyre në elitën e futbollit tonë.

 

Shpërndaj me të tjerët