Në qytetin e Kamenicës është mbajtur Ora Letrare, ku u shpallën fituesit e Konkursit Letrar të këtij viti.
Juria profesionale, në përbërje të Mehmetali Rexhepit, Kaltrina Berishës dhe Musa I. Ahmetajt, pasi shqyrtoi krijimet e shumta, ka përzgjedhur tri poezitë më të realizuara, në mesin e të cilave u vlerësua edhe krijimtaria e autorit nga Gjilani, Muhamet Halili.
Muhamet Halili, i njohur për publikun jo vetëm si shkrimtar me disa vepra të botuara, por edhe si një gazetar me përvojë të gjatë nga Gjilani, u shpërblye me vendin e tretë për poezinë e tij me titull ”Vashë me aromë bliri”.
Poezia, e cila në konkurs konkurroi me shifrën ”Akoma po të pres”, u veçua nga juria për stilin e saj të veçantë dhe vlerën artistike.
Në këtë manifestim letrar, çmimet e para u ndanë si vijon:
Vendi i parë: I takoi poetit Zymer Kodra, me poezinë “Shkruaj”.
Vendi i dytë: U vlerësua autori Sulejman Dërmaku, me poezinë me titull “Por..”.
Ky shpërblim rikonfirmon praninë aktive të Muhamet Halilit në skenën kulturore të Anamoravës.
Si një autor që ka botuar disa vepra, ai vazhdon të gërshetojë mjeshtërinë e vrojtimit prej gazetari me ndjeshmërinë e poetit, duke u vlerësuar tashmë edhe në aktivitete ndërkomunale siç ishte kjo Orë Letrare në Kamenicë.
Ky aktivitet dëshmon se bashkëpunimi dhe ballafaqimi i vlerave letrare mes krijuesve të rajonit mbetet një rrugë e sigurt drejt pasurimit të kulturës sonë kombëtare.
