SPORT/ Villarreal CF Academy zbarkon në Prishtinë, dy gjilanas pjesë e projektit

Kryeqyteti i Kosovës nga sot deri më 16 maj është epiqendra e futbollit për të rinjtë. Kampi i gjigantit spanjoll, Villarreal CF, ka hapur dyert për 120 talente të grupmoshave U8 deri në U17, të cilët do të stërviten nën vëzhgimin e rreptë të ekspertëve spanjollë dhe stafit vendor.

Në këtë projekt madhor, organizatori i ka besuar rolin kryesor gjilanasit Arben Zeqiri, i cili është përzgjedhur si kryetrajner dhe përgjegjës për stafin e trajnerëve kosovarë.

Zeqiri, një emër me autoritet në futbollin tonë, mbajtës i licencës UEFA “A” dhe analist i mirënjohur, ka pasur kompetencën ekskluzive për të seleksionuar 10 trajnerët më të mirë nga mbarë Kosova që do të punojnë në këtë kamp 6-ditor.

Në mesin e trajnerëve të përzgjedhur nga Zeqiri është edhe trajneri  tjetër nga Gjilani, Ardian Latifi.

Me një përvojë të gjatë te FC Drita dhe i licencuar me UEFA “A”, Latifi sjell në kamp mentalitetin fitues dhe përvojën e tij në punën me gjeneratat e reja, duke plotësuar kështu një dyshe të fuqishme nga Anamorava në këtë organizim ndërkombëtar.

Sipas Arben Zeqirit, ky kamp është një mundësi e jashtëzakonshme për rininë tonë.

Dy trajnerë nga akademia zyrtare e Villarreal-it do të monitorojnë çdo seancë stërvitore, ndërsa në fund, në bashkëpunim me stafin kosovar, do të përzgjedhin talentet më premtues.

Këta lojtarë do të kenë privilegjin që në të ardhmen të marrin pjesë direkt në kampin qendror të Villarreal-it në Spanjë.

Ky bashkëpunim mes ekspertëve spanjollë dhe trajnerëve tanë më të mirë dëshmon se talenti kosovar po vlerësohet lart dhe se dyert e futbollit evropian janë tashmë të hapura për ata që tregojnë profesionalizëm dhe pasion në fushën e gjelbër.

 

Shpërndaj me të tjerët